23/09/2025
Nderim M. Emini:
Në ato ditë të rënda, kur frika kishte mbërthyer çdo shtëpi e çdo zemër, kur kërcënimet dhe presioni i padrejtësisë e bënin popullin të heshte, u gjet një burrë që nuk u përkul – Shaban Zendeli, krah për krah me Hoxhën Fejzulla Emini. Ata guxuan të ngrihen përballë një pushteti në Likovë që dukej i pathyeshëm, jo për interesat e tyre, por për dinjitetin e njerëzve të thjeshtë dhe për shpresën e së nesërmes.
Shaban Zendeli nuk ishte vetëm kandidat politik; ai ishte zemra e popullit, zëri i atyre që nuk mund të flisnin, forca e atyre që kishin mbetur të lodhur nga padrejtësia. Ai e dinte se rruga që kishte zgjedhur nuk ishte e lehtë. Ai e dinte se kërcënimi ishte real dhe rreziku i madh, por nuk pranoi të bëhej rob i frikës. Ai tregoi se nderi nuk blihet, dhe se guximi i një njeriu mund të ndezë shpresën e një populli të tërë.
Sot, kur ai nuk është më mes nesh, dhembja është e madhe, por kujtimi i tij është më i fortë se çdo humbje. Emri i tij do të mbetet i gdhendur përjetësisht në historinë e Likovës si shembull i pastër i qëndresës dhe i besnikërisë ndaj të vërtetës. Ai ishte dhe do të mbetet një dritë që nuk u shua, por që do të ndriçojë përherë rrugën tonë.
🌹 Kujtimi i tij qoftë i përjetshëm, e shpirti i tij pushoftë në Xhenet.
Do të shihemi në botën tjetër, Bac… amanetin do ta vazhdojmë.