05/11/2023
Me datë 28.10.2023, u mbajt ceremonia e kremtimit të 120-vjetorit të shkollës në Iballe të Pukës, e cila u hap ne vitin 1903 duke shënuar kështu hapjen e shkollës së tretë shqipe në vendin tonë dhe të shkollës së parë shqipe në veri.
Ky eveniment përkujtimor, pati nderin të priste Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, ish Kryeministrin e Kosovës, aktualisht deputet i Kuvendit, Z. Ramush Haradinaj, Kryetarin e Bashkisë së Fushë-Arrëzit Z. Hil Curri dhe shumë personalitete të njohura. Pjesëmarrës të veçantë të këtij eventi qenë edhe të gjithë bijtë dhe bijat e Iballes, të cilët kujtuan me mall dhe krenari origjinën e tyre.
Gjithashtu, u mbajt një koncert artistik nga fëmijët e fshatit, QKF (Qendra kulturore e Fushë-Arrëzit) si dhe nga shumë këngëtarë vendas. Gjatë koncertit u shpalosën valle, interpretime dhe këngë tradicionale të Iballes duke vënë në pah vlerat artistike të këtij fshati.
Pjesë e rëndësishme e kësaj ceremonie qe përkujtimi i të gjithë figurave që sakrifikuan në hapjen e shkollës shqipe të Iballes duke e bërë kështu fshatin djep të dijes në mbarë vendin.
Në këtë ditë të veçantë të 120 vjetorit, shkolla u emertua me emrin "Frrok Kolë Pemati" i cili njihet dhe përmendet gjerësisht si themeluesi kryesor i saj. Frrok Kolë Pemati me anë të rekomandimit të famulltarit të atëhershëm të Iballes, Zef Mesit dhe me anë të ndihmës së peshkopit Lazër Mjedës, vëlla i Ndre Mjedës, bëri të mundur hapjen e kësaj shkolle në Iballe pa dëshirën dhe vullnetin e pushtuesve otoman turk.
Gjatë ceremonisë së 120 vjetorit të hapjes së shkollës u nderuan dhe figura historike si "I Lumënumi Fran Mirakaj", një nga 38 shenjtorët e vrarë nga diktatura komuniste shqipëtare, si klerik i besimit katolik. Në nderim të tij, në fshatin Iballe, rrugës për në qendër të fshatit i është vënë emri “Rruga Fran Mirakaj”.
Për të mbajtur gjallë dhe për ti nderuar të gjitha këto figura historike të Iballes, si dhe për të mbrojtur trashëgiminë e tyre, shumë sipërmarrës me origjinë nga Iballja dhe rrethi Pukë kanë dhënë një kontribut financiar me një vlerë rreth 8.000.000 LEKË të reja të cilat janë përdorur për rikonstruksionin e shkollës, për ndërtimin e muzeut historik të shkollës Iballe si edhe për realizimin e eventit për 120 vjetorit të hapjes së shkollës.
Një falenderim i veçantë për të gjithë popullin e Iballes të cilët morën pjesë në këtë event të rëndësishëm, për të gjithë mesuesit dhe ish nxënësit e kësaj shkolle, për të gjithë personalitetet që na nderuan me pjesëmarrjen, për të gjithë sponsorët që kontribuan për mundësimin e këtij aktiviteti si dhe sponsorin gjeneral JUNIK sh.p.k. me administrator Z. Ded Malutaj.