04/06/2026
Miku im, profesori Naun Kule, një zë i spikatur i vendlindjes sime, Libofshës, por edhe një intelektual myzeqar 24-karatsh, ka botuar para pak kohësh një libër me titullin simbolik, "EFEKTI MYZEQE," me nëntitullin "Shkrimtaria e gazetarit dhe gazetaria e shkrimtarit."
Me modesti dhe me kënaqësi të veçantë, unë kam shkruar parathënien e librit. E gjeni më poshtë:
PARATHËNIE
Për mua, Naun Kule ka qenë si një bekim i një miqësie të vonuar. Një nga ato takime njerëzore që të bëjnë të mendosh jo vetëm për atë që fiton, por edhe për kohën e humbur pa e ditur se çfarë mund të kishe pasur gjatë asaj kohe. Unë mund ta kisha takuar (dhe duhej ta kisha mëkuar miqësinë me të) shumë kohë më parë; por jeta, me ritmet, rrethanat dhe shpërqendrimet e shumta, i shtyn ndonjëherë takimet thelbësore drejt një vonese të pashpjegueshme. Megjithatë, unë kam një thënie të përshtatur: “më mirë vonë sesa shumë vonë.” Kjo miqësi e ardhur në një moshë të pjekur ka qenë për mua një burim i madh dije, qetësie, reflektimi dhe mirënjohjeje, një dëshmi se marrëdhëniet e vërteta nuk maten me kohën e fillimit, por me thellësinë që arrijnë. Besoj se kuptohet gëzimi im, kur “profesori” (kështu e quaj unë) më kërkoi të shkruaj një parathënie për këtë përmbledhjen me shkrimet e qëmtuara me shumë dashuri nga krijimtaria e mrekullueshme e një jete intelektuale të lakmueshme.
Ky vëllim përfaqëson më shumë sesa një përzgjedhje tekstesh nga krijimtaria e autorit: ai është edhe një dëshmi e një jete të kaluar në shërbim të fjalës së shkruar, të kujtesës historike, të së mirës publike, të ndërgjegjes qytetare, si edhe të vlerave e virtyteve shoqërore. Në këto faqe, lexuesi ndeshet me copëzat më përfaqësuese të veprës së Naun Kules, që si autor që ka ditur ta ruajë jo vetëm koherencën dhe fuqinë e mendimit por edhe integritetin dhe ndershmërinë intelektuale përgjatë shumë dekadave të mbushura me ndryshime të paimagjinueshme shoqërore, kulturore dhe politike.
Shkrimtaria e Naun Kules shtrihet në disa fusha themelore, ku spikasin: krijimtaria artistike, literatura dokumentare e biografike, publicistika, dhe shkrimet historike. Kjo larmi e gjinive të lëvruara nuk duket parë aspak si shenjë shpërndarjeje, sepse është krejt e kundërta: ajo dëshmon për një vizion të plotë të letërsisë si mjet kuptimi, kujtimi, dëshmie dhe përgjegjësie. Në çdo zhanër ku ai ka shkruar, autori mbetet besnik ndaj dy parimeve thelbësore: respektit për të vërtetën dhe dashurisë për vendin dhe për njeriun.
Në krijimtarinë artistike, Naun Kule shfaqet si një rrëfimtar i përmbajtur dhe i ndjeshëm, që i jep zë fateve njerëzore, kujtesës individuale dhe historive të vogla, nga ato që shpesh mbeten jashtë narrativave zyrtare, por që mbartin ajthin e dashurisë për jetën. Gjuha e tij është e qartë dhe e pasur, dhe pa zbukurime të tepërta, ndërsa leksiku i tij është dëshmia më kuptimplote për një përvojë jetësore të mrekullueshme me një jehonë emocionale të fuqishme. Në këtë përmbledhje, lexuesit do ta dallojnë me lehtësi se shkrimet e përzgjedhura përshkohen nga një qetësi e matur dhe një urtësi e grumbulluar, që, si vlera njerëzore tipike myzeqare, i kanë rrënjët tek pjekuria e mbledhur nga përballja e gjatë me tallazet e jetës. Për mua, përjetimet e autorit nga fëminia dhe përsiatjet nga rinia ngjallin një kërshëri të veçantë.
Një vend të veçantë në këtë përmbledhje zënë literatura dokumentare dhe shkrimet historike, ku autori shfaqet si kronist i kujdesshëm dhe studiues i ndërgjegjshëm. Duke qenë i lidhur ngushtë edhe me historinë e Myzeqesë, edhe me kontekstin më të gjerë kombëtar, Naun Kule i qaset fakteve historike me ndershmëri dhe me respekt, duke e trajtuar historinë jo si arkivë të ftohtë ngjarjesh, por si proces të gjallë kujtese dhe përgjegjësie morale.
Artikujt publicistikë, nga ana tjetër, pasqyrojnë një zë qytetar aktiv, kritik, por të matur. Janë shkrime që nuk kërkojnë polemikën për hir të polemikës, por sqarimin, kuptimin, shqyrtimin, dialogun dhe ndërgjegjësimin për çështjet e trajtuara. Shkrimtaria publicistike është dëshmia më domethënëse se Naun Kule është një autor i përfshirë me pasion në jetën shoqërore dhe kulturore të vendit, si një intelektual që e sheh fjalën publike si mjet shërbimi në dobi të së mirës publike, dhe jo si instrument zhurme apo truk për të tërhequr vëmendje.
Kontributi i Naun Kules nuk kufizohet vetëm tek shkrimtaria. Veprimtaria e tij kulturore dhe shoqërore, përfshirë edhe angazhimin e gjatë në promovimin e identitetit dhe kulturës së Myzeqesë, si dhe vlerësimet dhe nderimet e marra ndër vite, dëshmojnë respektin që ai gëzon si autor i talentuar dhe si qytetar i përkushtuar. Këto arritje të spikatura të autorit janë frutat e merituara të një pune të palodhur, të pandërprerë, të vazhdueshme, të heshtur dhe të ndershme; ato janë vjelja e merituar e një myzeqari njëzetekatërkaratsh.
Kjo përmbledhje vjen gjithashtu edhe si një ftesë për të rilexuar jo vetëm një autor, por edhe kohët e ndryshme që ai ka jetuar, dëshmuar dhe interpretuar. Kjo vepër është një akt kujtese, por edhe një dhuratë për lexuesin bashkëkohor, që, përmes këtyre faqeve, ka mundësinë të shijojë shkrimtarinë e ndërtuar mbi përkushtimin për gjuhën shqipe, durimin për të zbuluar të vërtetën, dhe besimin e palëkundur se fuqia e fjalës së shkruar e mposht rrënimin që mbjell turravrapi i kohës.
Dr. Albert SHEQI