03/03/2019
GHOST DOG “THE WAY OF THE SAMURAI”1999
Koment filmash. Bro.’.G!
“Rruga, Kush e kalon atë drejt dhe mirë”. E fillova me këtë fjalë të madhe të lënë nga filozofia e vjetër e arteve marciale Japoneze, ku Kodi i Nderit ishte gjithçka, dhe për gjithçka. Shumë burra humbën jetën kur sulmonin të parët, sepse në këtë kohë, mbrojtja ishte e avancuar në nivelet kulminante, tek burrëria Japoneze, në fakt, ishte kthyer në kulturë të mos sulmoje i pari dhe pa arsye. Kjo ishte koha kur Toytomi Hideyoshi, anulloi mbajtjen e shpatës, për një shtresë të popullsisë, dhe që njihej si “Katana Gari”. E kjo ndarje njihej si “Heino Bunri”. Ishte viti 1588 dhe një pjese të popullit të Japonisë, i duhej të dorëzonin armët e tyre. Qëllimi ishte krijimi i një force të strukturuar, strikte, me klasë të veçantë dhe të funksiononte nën urdhërat e tij. Kjo ishte vetëm një pjesë e vogël e historisë së bujshme të shpatës dhe përdorimit të saj në Japoni. Ata kanë një kulturë shumë strikte për shpatën. Samurai ishte në shërbim të të Zotit të Klanit, apo edhe Perandorit. Ata ishin të bindur me disiplinën e tyre të shkonin përtej imagjinatës, duke qenë se kishin mësime shumë serioze mbi taktikat dhe përdorimin e shkathtësive luftarake. Tradita e tyre ende gjendet me lehtësi në Japoninë modern, sepse në fakt përbënin jo më pak se 10% të popullsisë, japoneze të kohës.
Nën aplikimin strikt të Kodit të Samurait, Ghost Dog arrin të bëhet një mbrojtës i viktimave të krimit të organizuar, zëri i tyre në heshtje. Ai zbaton me takt e përpikmëri këto rregulla, pasi e gjen veten aty, pas një situate shumë të vështirë, ku përballej me vdekjen. Në atë situatë të vështirë e ndihmon Lui, një nga mafiozët e qytetit, i cili kryente punët e pista të njërit prej klaneve mafioze. Aty, ai bie në kontakt për herë të parë me Luin, të cilit i shërbente me devotshmëri për një kohë, por duke vendosur parimin moral, para atij personal. Meqenëse ai ishte shndërruar në një armë vdekjeprurëse, për të ligën dhe njerëzit e errësirës, ai vepronte gjithmonë nën hijen e emrit të tij të çuditshëm “Ghost Dog”. Ai kishte qasje në pothuajse gjithçka, sistemet e komunikimit të njerëzve të mafias, shtëpitë e tyre, dhe ishte pa gabime në kryerjen e aktit të vrasjes, ishte një profesionist në këtë drejtim. Karakteri i tij ishte shumë serioz në kryerjen e veprimeve dhe rezultatet e tyre. Ishte shumë i përkushtuar, jetonte vetëm dhe kryesisht nuk përdorte fare mjete komunikimi përveç pëllumbave postarë, për marrjen dhe përcjelljen e mesazheve.
Principi i Samurait në një anë, dhe njerëzit e errësirës, në anën tjetër. Kishte të bënte më karaktere të ndryshme, të cilat përplaseshin jo rallë-herë me njëra tjetrën. Ai i kishte dorëzuar pothuajse shpirtin dhe trupin Master-it të tij, të cilit i shërbente, në këtë rast Lui-t, e në një analizë më të thellë, i shërbente një parimi më serioz, largimit nga faqja e dheut të njerëzve që shkelnin ligjin duke përdorur fuqinë e parave të pista, dhunën, ku ambicja e tyre ishte shndërruar në kërcënim për Lirinë. Ghost Dog, u jepte atyre fund pa asnjë problem dhe pas asnjë pengesë, ai eliminon me lehtësi shumicën prej tyre, ca në një shtëpi luksoze mafioze, e ca në lokacione të tyre private, por, sigurohej që të vdisnin ashtu siç kishin jetuar, pasiqë siç edhe përmendet në fund, në Kodin e Samurait, fundi ka rëndësi në gjithçka që kemi vepruar, pra si i përfundojmë gjërat. Por, çelësi i suksesit të një Samurai ishte lideri i tij, Mjeshtri, që në fakt Ghost Dog, kishte shpirtin e tij të pastër në një dilemë etike me Luin, i cili i kishte shpëtuar jetën vite më parë. Në disa raste ai i kujtoi Lui-t se edhe ai ishte si të tjerët por nuk e eliminoi. Ky parim që të mos harronte mjeshtrin në asnjë situatë, se ai ishte fundamental për të, në fund i dha goditje pas shpine, dhe thellë në zemër, Ghost Dog e dinte se kjo e priste, ai ç’armatosi mikun e tij që shiste akullore në mënyrë që të mos mundte ta ndihmonte, sepse tashmë ai kishte vednosur si të ishte fundi.
“Është mirë ta shohësh botën si një ëndërr. Kur të kesh diçka si një ankth ose tmerr, mund të zgjidhesh dhe t’i thuash vetes se ishte vetëm një ëndërr. Është thënë se bota në të cilën ne jetojmë, nuk është aspak ndryshe nga kjo”
Në fakt, secili nga ne ka një ëndërr, një liri të brëndshme, virtyte e vizione që na mbajnë gjallë. A nuk është e vërtetë se karakteri ynë është i brëndshëm, sado që goditemi nga jashtë. Thjesht, disa nga ne zgjedhim të luftojmë për atë që na takon së paku deri në fund, disa pajtohen me të keqen, dhe bëhen skllevër skllevër të ëndrrave të gabuara të të tjerëve, që krijojnë shëmtira, anarki, pshtjellime të pafundme. Këta të fundit e gjejnë veten në një rreth shumë të keq vicioz, që nuk mund të dalin, në një rrugë pa krye, që i bëjnë dëm shoqërisë, vendit e famileve të tyre, me vepra e ëndërra të liga, i shërbejnë djallit në vend që të jenë të lirë nga ai. Të parët, ata që besojnë ëndrrën e tyre të mirë, për të shërbyer si njerëz të lirë, për shoqërinë, vendin, familjen, edhe pse me shumë vështirësi arrijnë atë që dëshirojnë sepse gjithmonë gjejnë njerëz me vlera të njëjta, për të luftuar bashkë, dhe mos të harrojmë se Drita triumfon mbi Errësirën. Këta të parët bëhen model për të rinjtë, model për njerëzit që i rrethojnë, për familjen dhe vendin. Ne kemi marrë shembuj të shumtë për dallimin e njerëzve dhe klaneve, që ata vendosin t’i shërbejnë. Disa e bëjnë për përfitime material e personale, disa për parime morale.
Lordi Naoshige në një thënie të tij tregon se:
“Çështjet e shqetësimeve të mëdha duhet të trajtohen lehtësisht-me qetësi” përderisa Lordi Ittei tha: “Çështjet e shqetësimeve të vogla duhet të trajtohen me seriozitet” Në fakt ishte tipike çështje discipline, pasiqë siç e dijmë nga përvojat e përditshme, gjërat e vogla – problemet dijnë të bëhen të mëdha, ato të mëdha të mbesin probleme permanente, apo probleme që kërkojnë zgjidhje.
“Sipas thënjes së një të vjetri, ta dërgosh armikun në fushëbetejë është njëlloj siç e merr Shqiponja-skifteri-zogun. Shqiponja futet në mesin e shumë zogjve, kalon mes përmes tyre, por kurrë nuk e harron këndin, ajo nuk i jep rëndësi zogjve të tjerë, përveç atij që e kishte future në atë cak”.
Kështu ishte edhe Ghost Dog, ai po e vendoste në qoshe ndonjë kriminel, nuk i kushtonte rëndësi shërbyesve të tij, ata ishin vetëm disa pengesa të vogla deri sa arrinte me lehtësi te kurthi, pavarësisht se çfarë mbrojtje kishte, se çfarë posti mbante, Ghost Dog ishte një shigjetë e furrishme, e pandalshme, e pathyeshme, një stuhi që verbonte armikun para se ta eliminonte. E dërgonte fillimisht drejt vendimeve të gabuara, dhe në fund i merrte gjithçka, jetën, pa pikë mëshire, por me parim.
Ghost Dog, nuk e bënte asnjë eliminim për çështje parashë, për interesa personale, ai kishte një kod, që ndoshta njerëzit e kuptojnë me fjalën hakmarrje. Por, ishte më i madh se aq. E donte leximin, edukimin, përkrahte të dobëtin, ata që nuk kishin mbështetje, ishte më i heshtur dhe nuk shoqërohej me njerëzit. Disa mund ta përqeshnin se i pëlqente kjo mënyrë jetese, por ishte ëndrra e tij, jetonte për të, ishte thjesht njeri me parime, i pëlqente të hante akulloren duke observuar rrethin dhe duke menduar për të ardhmen, të tashmen e çuditshme depresive. Mënyrat e sjelljes së tij dhe komunikimit tregonin për një shpirt të pa djallëzuar, por të fuqishëm si rrufeja, në natën e errët, që u merrte jetën njerëzve të ligë të mafias, drogës e prostitucionit. Ai kishte vendosur të ishte drejtësia, duke i shkatërruar komplet klanin mafioz.
“Në fjalët e të lashtëve thuhej se njeriu duhej marrë vendimin në hapësirën mes shtatë frymëmarrjesh. Kjo është çështje të jesh i vendosur dhe të kesh shpirtin që të çash si duhet mes-përmes deri në anën tjetër”
“Edhe nëse koka e Samurait këputet rastësisht gjatë aktivitetit të tij, luftimit, ai duhet prapë të jetë i aftë të performojë një veprim shtesë me saktësi. Nëse ai arrin të bëjë këtë si një shpirt hakmarrës dhe tregon vendosmëri, edhe pse koka e tij është e këputur, ai nuk do të vdiste”
“Nëse ke marrë vendim ta vrasësh një person, edhe nëse është e vështirë të avancosh drejt përpara, ti nuk do të mendosh të shkosh tërthorazi (indirekt).Rruga e Samurait është me menjëherë-shmëri (vendimtare në kohë dhe hapësirë, pa pritje të gjata pas marrjes së vendimit)-Godit në Kokë”
Vetë ngjarjet këtu janë filozofi në vete, për ata që kanë ende pak moral të kuptojnë, mesazhin për Rrugën që ne e kalojmë në këtë botë, në të mirë dhe në të keq. Filozofi kjo që kuptohet vetëm nga njerëzit e disiplinuar, që janë mësuar të shërbejnë me vetëmohim dhe sakrificë. Kjo na shpie në kuptimin e ekzistencës së substancës në boshllëk, të vetes tonë në një ëndërr universale, jashtë metaforave dhe sinonimeve të përditshme, në diçka që as vetë në disa raste nuk i japim arsye. Njerëzit e quajnë rastësi, por rastësi nuk ka veç asaj që e krijojmë ne, dhe i japim formë të quhet e tillë. Gjithçka ndodh për një arsye! Gjithçka ka një formë dhe zbrazëti.
“Trupave tonë ju është dhën jetë, nga azgjëja”
“Zbrazëtia, është formë, dhe forma është zbrastësi”!
Bro.’. G
Brotherly love