18/01/2026
Reflektim kritik mbi zhvillimet aktuale në Freskanjel
“Fraskanjel Beach” apo Plazhi i Freskanjelit
Si banor i Freskanjelit ashtu si bashevendasit e mi dhe si pjesë e këtij komuniteti, ndiej detyrimin moral qe të shpreh shqetësimet e mia lidhur me mënyrën se si po zhvillohen ngjarjet e fundit, të cilat rrezikojnë drejtpërdrejt interesin e përbashkët dhe të ardhmen e këtij vendi.
Dua të informoj opinionin publik se gjatë muajve të fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të kërkesave për blerjen e parcelave pranë bregut të Bunës. Është e rëndësishme të theksohet qartë se banorët e Freskanjelit nuk janë kundër zhvillimit. Përkundrazi, të gjithë jemi të një mendimi se kjo zonë duhet të zhvillohet në përputhje me potencialin e saj natyror, agrare, turistik dhe shoqëror.
Megjithatë, ajo që po vërehet me shqetësim është se disa nga pronarët e rinj po ndjekin qëllime të tjera, të shoqëruara me sjellje të pasinqerta dhe arrogante, duke dëmtuar pronën shoqërore dhe duke uzurpuar rrugën pranë bregut të Bunës. Këto shkelje janë të dukshme dhe të dokumentuara qartë në skicën ekzistuese zyrtare.
Freskanjeli është një ndër fshatrat e rralla që ka ndërtuar me forcat e veta infrastrukturën bazë: rrugët, linjën e ujësjellësit, linjën e elektrifikimit, asfaltimin, si dhe rrjetin e telefonisë. Këto janë vlera kolektive që kërkojnë respekt maksimal. Askush nuk ka të drejtë të vijë me urdhra, imponime apo ide të errëta, duke u përpjekur të diktojë se “si qëndrojnë gjërat”, pa njohur historinë, sakrificat dhe realitetin e këtij komuniteti.
Janë vizatuar linja të reja mbi skicën aktuale, të cilat tregojnë qartë shkelje të kufijve, të rrugëve dhe të pronës shoqërore. Si është arritur kjo dhe me ndihmën e kujt, aktualisht nuk është e qartë. Megjithatë, kjo çështje do të trajtohet seriozisht dhe do të zgjidhet vetëm përmes një studimi të mirëfilltë, të bazuar në fakte, dokumente dhe skica zyrtare.
Mesazhi është i qartë dhe i prerë: çdo individ është i mirëpritur në Freskanjel, por vetëm me respekt të plotë ndaj pronës, rrugëve, pemëve dhe hapësirave të përbashkëta. Askush nuk ka të drejtë të ngrejë barriera, të uzurpojë apo të zgjerojë pronësinë përtej parcelave që ka blerë ligjërisht. Kjo është një vijë e kuqe që duhet kuptuar dhe respektuar nga të gjithë.
Komuniteti i Freskanjelit ka qenë dhe mbetet i hapur për dialog, konsultim dhe zgjidhje transparente të çdo pengese apo mosmarrëveshjeje, pa presione, pa emërime arbitrare dhe pa konflikte të panevojshme. Çdo vendim duhet marrë me qetësi, përgjegjësi dhe mendje të ftohtë, në interes të përbashkët.
Freskanjeli do të mbetet ashtu siç është ndërtuar ndër vite, pavarësisht presioneve apo thashethemeve. Çdokush që vjen me qëllime të mira, me respekt dhe ndershmëri, do të jetë gjithmonë i mirëpritur.
I bëj thirrje të gjithëve të ndalemi, të reflektojmë,thellohemi dhe të kërkojmë një zgjidhje sa më të drejtë dhe të qëndrueshme, pa u ndjekur “cep më cep” dhe pa krijuar pakenaqesi dhe përçarje.
E gjithë Ana e Malit e njeh Freskanjelin si bukëdhënës, dashamirës dhe mikpritës. Ky është identiteti ynë dhe ky identitet duhet ruajtur.
Ju mirëpresim
Delo Heba
New York
01.18.2026