27/06/2026
Naser Havzija – simbol i punës, përkushtimit dhe suksesit në gastronomi.
Historia e Naser Havzijës është një shembull frymëzues se si puna e ndershme, këmbëngulja dhe vizioni mund të shndërrohen në sukses. Hapat e parë i hodhi në mërgim, ku punoi me përkushtim për shumë vite, për të krijuar bazën e ëndrrave të tij. Më pas u kthye në Prishtinë, ku realizoi investimin e tij të parë, ndërsa pas një periudhe të gjatë pune dhe përvoje, vendosi të rikthehej në vendlindje për të investuar në Tetovë.
Me hapjen e Restaurant BOSS, ai solli një koncept të ri në qytet, duke e bërë atë restorantin e parë familjar që punonte 24 orë në ditë. Cilësia e ushqimit, shërbimi i përkushtuar dhe çmimet e arsyeshme e bënë restorantin shumë shpejt një nga destinacionet më të preferuara për qytetarët.
Falë punës së palodhshme dhe angazhimit të përbashkët me familjen, më pas u realizua edhe Nobel Palace, një sallë moderne dasmash që sot njihet për standardin dhe elegancën e saj. Ndërkohë, flitet se janë në përgatitje edhe projekte të reja, të cilat pritet të pasurojnë më tej ofertën gastronomike dhe të eventeve në qytet.
Një nga dëshmitë më të mira të suksesit të tij është besnikëria e stafit. Shumica e punëtorëve kanë vite të tëra që punojnë krah tij, duke zgjedhur të vazhdojnë rrugëtimin në të njëjtin vend pune. Kjo flet qartë për respektin, komunikimin njerëzor dhe sinqeritetin me të cilin Naseri i trajton bashkëpunëtorët e tij.
Ajo që e bën edhe më të veçantë është përulësia e tij. Edhe pse është pronar i bizneseve të suksesshme dhe drejton një ekip të madh, Naseri vazhdon të jetë çdo ditë në vendin e punës. Shpesh mund ta shihni me uniformën e kuzhinierit, duke punuar krah stafit të tij dhe duke dhënë maksimumin në çdo detaj. Pikërisht kjo etikë pune, përkushtim dhe thjeshtësi e kanë bërë atë një emër të respektuar dhe një shembull frymëzues për shumë sipërmarrës të rinj.